Wednesday , March 3 2021
Ballina / LAJME / Pse Enveri mbajti peng mijëra inxhinierë italianë?

Pse Enveri mbajti peng mijëra inxhinierë italianë?

“Do të ktheheni në Itali sapo të vijnë specialistë nga Bashkimi Sovjetik apo vende të tjera të Evropës”. Mjaftoi kjo fjali e thënë nga Qeveria e Enver Hoxhës, pas çlirimit të vendit, për të mbajtur peng teknikët italianë edhe disa vite të tjera radhazi, në Shqipëri.

E dalë nga lufta, me ekonomi të shkatërruar, vendi i vogël në juglindje të Evropës nuk kishte asnjë mundësi për rimëkëmbje. Mungonin mjetet, teknologjia, specialistët, mungonte pothuaj gjithçka. Me ndihmën e madhe që dha UNRRA (United Nations Relief and Rehabilitation Administration), organizata më e madhe e ndihmave në të gjithë botën, Shqipëria filloi të ndryshonte pak nga pak pamjen.

Ndihmat kryesisht konsistonin në makineri dhe mjete të tjera prodhimi, të cilat ishin të domosdoshme për këtë situatë paslufte.

Në librin e historianit Hamit Kaba, “UNRRA në Shqipëri në vitet 1944-1947”, mes dokumenteve të shumta të shfletuara nga autori, gjenden edhe të dhëna për riatdhesimet e të huajve në Shqipëri.

MARRËVESHJA

Në fillim të vitit 1945, sipas dokumenteve shqiptare të asaj kohe, në Shqipëri kishte rreth 25 mijë ushtarakë e civilë italianë të cilët prisnin të riatdhesoheshin në vendin e tyre. Rikthimi i tyre në shtëpi nuk mund të bëhej gjatë vitit 1944, pasi Italia veriore ndodhej ende nën pushtimin e gjermanëve, si dhe deklaratat e Qeverisë Shqiptare bënin të qartë se nuk do të lejoheshin të riatdhesoheshin specialistët e mekanikët italianë.

Ka qenë ky vit kur Gino Piccini, kryetar i Misionit Ushtarak në Shqipëri, i shkruante Enver Hoxhës: “Për arsye njerëzore është i domosdoshëm riatdhesimi i këtyre elementëve të paaftë për rindërtimin shqiptar. Në rast se ky riatdhesim do të vendoset, lus Qeverinë Shqiptare të interesohet pranë aleatëve, me qëllim që të vihen në dispozicion mjetet e nevojshme të transportit, që përsa rezulton nuk mungojnë”.

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Qeverisë Shqiptare dhe UNRRA-s, më 1 gusht 1945, neni 2 i saj titullohej “Administrimi i Shërbimeve”, gjë që lidhej me shërbimet për kujdesin, mbajtjen dhe riatdhesimin e personave të shpërngulur.

Menjëherë pas kësaj marrëveshjeje, kryetari i misionit të UNRRA-s në Shqipëri, Dayrell Oakley-Hill, u interesua pranë Qeverisë për riatdhesimin e robërve të luftës. Në të njëjtën kohë, Qeveria italiane, duke u siguruar për mbështetjen e aleatëve, filloi të interesohej pranë Qeverisë shqiptare për riatdhesimin e tyre.

ENVERI NDALON SPECIALISTËT

Më 10 mars 1945 një delegacion italian, i kryesuar nga ndihmëssekretari i Ministrisë së Luftës, Mario di Palermo, zhvilloi një bisedë me Qeverinë Shqiptare, ku u nënshkrua një marrëveshje për riatdhesimet e firmosura nga vetë Enver Hoxha. Gjatë këtij takimi pati mosmarrëveshje të cilat kryesisht lidheshin me riatdhesimin e punëtorëve dhe specialistëve italianë. Qeveria shqiptare, siç ishte shprehur hapur, ishte kundër riatdhesimit të këtij grupi njerëzish që i nevojiteshin për të vënë në jetë disa sektorë jetikë të vendit. Lidhur me këtë Mario Di Palermo i propozoi Enver Hoxhës sjelljen në Shqipëri të një grupi tjetër specialistësh për të zëvendësuar grupin e lartpërmendur, propozim ky që u hodh poshtë nga Enver Hoxha.

Më 19 prill të vitit 1945, Qeveria shqiptare u kërkoi ministrive të saj, si dhe komisariatit të Kuçovës, listat e plota të specialistëve italianë. Kjo kërkesë iu përcoll dhe komiteteve ekzekutive të prefekturave, duke theksuar se “çështja ka karakter të ngutshëm”. Nga të dhënat që iu dërguan qeverisë në prill-maj 1945, rezulton se në Shqipëri gjendeshin mijëra specialistë e ushtarakë italianë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin punësuar në ndërmarrjet italiane, “Simoncini”, “Staccioli”, “Feltrinelli”, si dhe në kantierin vajguror të Kuçovës. Hartuesit e këtyre listave i bënin të qartë qeverisë se ata nuk shihnin mundësinë e zëvendësimit të tyre.

SHPËRBLIM PËR FAMILJARËT

Transporti i italianëve për në vendin e tyre bëhej me anijet e UNRRA-s dhe Misionit Civil Britanik, të cilat ishin të vetmet mjete që përshkonin Adriatikun. Qeveria Shqiptare gjatë këtyre viteve bashkëpunoi për riatdhesimin e civilëve, ushtarakëve, madje edhe priftërinjve italianë, por jo për teknikët e specialistët të cilët i nevojiteshin. Për një muaj, nga data 4 maj deri në 5 korrik të ’45, u riatdhesuan 16500-17000 ushtarakë italianë.

Në vitin 1948 në Shqipëri kishte ende specialistë italianë që punonin për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe dhënien e eksperiencës shqiptarëve. Ka qenë ky vit që Qeveria shqiptare i lejoi këta të fundit të dërgonin pranë shtëpive të tyre rrogat që merrnin në Shqipëri.

Edhe gjatë këtij viti specialistët italianë luteshin pranë Qeverisë për riatdhesimin e tyre, pasi gjendeshin në Shqipëri që prej gjashtë vjetësh, por nga këta të fundit merrnin përgjigjen e njohur: nëse mund të zëvendësoheni me specialistë vendas, mund t’ju riatdhesojmë. Kështu mbajti peng Enver Hoxha specialistët italianë të cilët u riatdhesuan vetëm atëherë kur në Shqipëri mbërritën specialistë nga Bashkimi Sovjetik dhe u përgatitën specialistë shqiptarë të aftë për të drejtuar. /Rezarta Delisula/Telegrafi/Amazing-Albania

____________________________________________

  • RIATDHESIMI I HEBRENJVE PËR NË PALESTINË

  • Në Shqipëri, hebrenjtë kanë qenë të ndarë në dy grupe. Në të parin bënin pjesë ata që ishin prej shekujsh banorë të vendit dhe ishin integruar shumë në jetën shqiptare, ndërsa në grupin e dytë bënin pjesë ata që kishin ardhur në prag dhe pas pushtimit gjerman (madje tetë hebrenj kanë dhënë jetën për çlirimin e vendit). Në vitin 1935 në Shqipëri kishte 151 hebrenj, ndërsa më 1943 numri i tyre arriti në 860-870 vetë. Pas pushtimit të vendit nga Italia, hebrenjtë e ardhur vitet e fundit u internuan në Kavajë, Berat, Lushnje… Më 28 shtator 1945 nga Shqipëria, mes misionit të UNRRA-s u bë riatdhesimi i 41 hebrenjve, nga të cilët 31 kishin banuar në Tiranë, ndërsa 11 në Durrës. Për riatdhesimin e hebrenjve, Qeveria shqiptare nuk nxori probleme të tilla si me specialistët italianë. Deri në mars të vitit 1946 në Shqipëri kishin mbetur edhe 170 hebrenj, ndër të cilët vetëm 40 kërkuan riatdhesimin për në vendin e tyre. Hebrenjtë e Shqipërisë shkonin në Palestinë për t’u riatdhesuar dhe jo në vendet nga ata ishin shpërngulur. Kjo zgjedhje e hebrenjve lidhet me faktin pasi aty ishte menduar të krijohej shteti i ardhshëm çifut, ndërsa Italia shërbente si stacion transit për kalimin e tyre në Palestinë.

  • ENVERI UA HEQ SHTETËSINË SHQIPTARO-AMERIKANËVE

  • Pas përfundimit të luftës, në Shqipëri kishte një numër jo të vogël qytetarësh me shtetësi të dyfishtë, shumicën e të cilëve e përbënin ata me nënshtetësi amerikane. Qeveria shqiptare nuk lejoi kthimin e tyre për në SHBA, duke iu mohuar shtetësinë e tyre. Në një sqarim të Këshillit të Ministrave, më datë 2 tetor 1946, drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme shkruhej: “Këta persona që kërkojnë të regjistrohen me nënshtetësi amerikane janë shqiptarë të cilët kanë marrë nënshtetësinë amerikane në bazë të traktatit të natyralizimit që ekzistonte midis Shqipërisë e SHBA-ve”. Meqë të gjitha traktatet dypalëshe të parapushtimit ishin shfuqizuar, Ministria e Brendshme u urdhërua të mos merrte parasysh asnjë dokument të paraqitur prej nënshtetasve amerikane. Tentativat për riatdhesimin e shqiptarëve që kishin edhe shtetësi amerikane dukeshin gjithnjë e më larg, e kjo u përforcua më shumë me tërheqjen e Misionit Civil Amerikan nga Shqipëria, e cila shënoi prishjen përfundimtare të marrëveshjes mes dy shteteve. Po kështu edhe ligji i miratuar nga Kuvendi Popullor “Për shtetësinë shqiptare” ua hoqi çdo mundësi shqiptaro-amerikanëve për t’u kthyer në SHBA. Kështu, sipas nenit 26 të ligjit, thuhej: Të gjithë personat që kanë marrë pjesë ne zgjedhjet e 2 tetorit ’45 konsiderohen shtetas shqiptarë, pa të drejta pretendimi shtetësie”.

Shiko më shum

Vaksinat kundër virusit, ari i ri për organizatat kriminale

Vaksina kundër COVID-19 do të jetë ari i lëngshëm i vitit 2021. Kështu ka paralajmëruar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *