Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh, transmeton Telegrafi.
“Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
“Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 21 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën: 1. KO 95/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e shkurtër të vendimit (teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
1. Lënda: KO 95/20
Parashtrues: Liburn Aliu dhe 16 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së
Kosovës
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, të 3 qershorit 2020, për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të cilin pala parashtruese pretendonte se nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3, të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 42 [Saktësimi i kërkesës] dhe 43 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 74 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.