Wednesday , November 20 2019
Ballina / LAJME / Shqipëria “flet” hapur. Bushati: Statusi i Kosovës, çështje rajonale dhe europiane, jo dypalëshe

Shqipëria “flet” hapur. Bushati: Statusi i Kosovës, çështje rajonale dhe europiane, jo dypalëshe

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka shprehur hapur dhe zyrtarisht qëndrimin e Shqipërisë ndaj debatit të fundit për korrigjim kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Bushati doli hapur kundër diskutimit të kufijve mes dy vendeve, duke u shprehur se statusi i Kosovës është çështje rajonale dhe europiane, dhe jo një çështje dypalëshe.

“Nuk ka arsye të predikojmë ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar, duke vendosur në kolateral arritjet e mundimshme e transformuese të rajonit tonë, të mundësuara pikërisht për shkak të këtij rendi ndërkombëtar. Ndaj nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën sesi do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo sesi do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo! Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe Pavarësia e saj, e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet, as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në ‘konflikte të ngrira’, si pasojë e tolerimit të ‘parimit të rivendosjes’, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Bushati.

Por, pyetjes së drejtpërdrejtë se cili është qëndrimi i Shqipërisë ndaj propozimit për shkëmbim të territoreve apo korrigjim kufijsh, ai i është përgjigjur kështu:

“Nuk do të ishte realiste, që për tema kaq të mprehta, qëndrimet zyrtare të bazoheshin mbi aludime, veprimet taktike apo deklarime testuese. Për Kosovën dhe statusin e shqiptarëve në rajon, Shqipëria ka një qëndrim të farkëtuar në vite, që buron prej detyrimeve kushtetuese dhe unitetit politik e ndërpartiak. Në këtë prizëm inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin shumetnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane”, vijoi shefi i diplomacisë shqiptare.

Shiko më shum

Kapet banda e skllavërisë moderne

Banda më e madhe e skllavërisë moderne në Europë, sipas mediave britanike, kishte arritur të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *