Monday , November 11 2019
Ballina / TRADITA / Muzika / Muzika profesioniste

Muzika profesioniste

Paraqitet si një ndër traditat më të reja artistike shqiptare . Fillimet e saj i përkasin viteve 1920-1930 të shekullit XX, ndërsa zhvillimet më të rëndësishme periudhës së mbas Luftës II Botërore e këtej. Sidoqoftë, nga të dhënat e deritashme, studjuesi i njohur i traditave muzikore shqiptare, Prof. Ramadan Sokoli, në librin e tij 16 shekuj (Tiranë; Eurorilindja, 1995) argumenton së paku kontributet e dy figurave të shquara shqiptare në artit kishtar mesjetar.

I pari prej tyre është Niketë Dardani, i njohur ndryshe si Niketa i Ramesianës, lindur rreth vitit 340 në Ramesianë të Dardanisë. Personalitet poliedrik, teolog, vjershëtor, muzikant, mik i afërt i Aurel Ambrason, N. Dardani emërohet në moshën 26 vjecare Ipeshkëv i Ramesianës. Vepra e tij më e njohur është himni Te Deum Laudamos, i përhapur në Europë më 525, dhe mbi të cilin kanë shkruar muzikë kompozitorë të tillë si G.B.Lulu, G.F.Haendel, J.S.Bach, W.A.Mozart, F.Schubert, G.Verdi, G.Mahler, etj. Muzikanti tjetër, Jan Kukuzeli, i lindur në qytetin bregdetar të Durrësit rreth viteve 1078-1088, njihet si një ndër figurat më të mëdha të kishës bizantine Arsimohet dhe afirmohet në Kostandinopojë, për t’u vendosur më pas në kishën Laura e madhe në malin Athos, ku harton edhe veprën madhore të jetës së tij, shkrimin neo-biznatin. Disa nga krijimet e tij kryesore janë Himnet Aniksandri, Kënga e Kerubinëve, Psalmi 107, Polilei 117, të pasqyruara pothuajse në të gjitha antologjitë e muzikës bizantine.

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare jeta muzikore shqiptare pasurohet me forma të reja, të cilat i drejtohen mjediseve të gjëra qytetare. Qendra të rëndësishme kulturore e muzikore të kohës janë qyteti i Shkodrës në Veri dhe ai i Korçes në Jug të vendit, ku krijohen formaconet e para orkestrale dhe korale laike. Sidoqoftë, përpjekjet më serioze për krijimin e një arti muzikor profesionist i gjejmë së pari tek kompozitori franceskan Pader Martin Gjoka (1890-1940), i cili punoi përgjithësisht pranë kishës franceskane të qytetit të Shkodrës, ku përvec muzikës fetare, kompozoi disa vepra vokale dhe instrumentale, midis të cilave një sinfoni, pjesë korale, pjesë për instrumente të ndryshëm, etj. Ndërkohë, Gjoka shquhet edhe si veprimtar i muzikës, duke formuar e drejtuar formacione të ndryshme instrumentale e vokale.

Brezi i parë i kompozitorëve shqiptarë të pas-Luftës II Botërore përbëhet nga një grup muzikantësh, pjesa dërrmuese e të cilëve u formuan në Konservatorin Cajkovski (ang. Tchaîkovski) të Moskës, ndërsa të të tjerët pranë shkollave perëndimore. Dy veprat kryesore me të cilat themelohet tradita muzikore profesioniste shqiptare janë Sinfonia (1956) e Çeks Zadesë (1927-1997) dhe opera Mrika (1958) e Prenga Jakovës (1917-1969), që të dy kompozitorë me origjinë nga Shkodra, dhe i pari i cilësuar shpesh herë si babai i muzikës profesioniste shqiptare.

Gjatë viteve 1950-1990 tradita e re muzikore shqiptare bëri hapa të rëndësishëm përpara, duke ezauruar në një mënyrë apo një tjetër vonesën e gjatë në kohë. Repertori muzikor shqiptar plotësohet me të gjitha format e gjinitë tradicionale, që nga ato të muzikës së dhomës e deri tek ato skenike. Një rol përcaktues për këtë luajti ngritja për të parën herë në Shqipëri e institucioneve të tilla të rëndësishme muzikore, si Filarmonia e Shtetit, Teatri i Operas dhe Baletit, disa orkestra sinfonike dhe ansamble korale në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, si Shkodër, Korçe, Vlorë, Elbasan, Durrës, si dhe krijimi i sistemit të plotë të edukimit muzikor.

Zhvillimet muzikore shqiptare të kohës pësuan një rritje të ndjeshme që prej gjysmës së dytë të viteve 1960 me Koncertet e Majit të Tiranës, të cilat u mbajtën në mënyrë periodike nga viti 1967 deri më 1990 duke aktivizuar muzikantë e trupa profesioniste dhe amatore. Përgjithësisht muzika e kësaj periudhe ka një orientim tradicional klasiko-romantik dhe një mbështetje të fortë në folklorin muzikor shqiptar. Përvec Zadesë dhe Jakovës, disa nga figurat kryesore të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX janë Tish Daija (1926), Nikolla Zoraqi (1929-1991), Tonin Harapi (1928-1991), Feim Ibrahimi (1935-1997), Shpëtim Kushta (1946), Thoma Gaqi (1948), etj. Në kushtet e izolimit të vendit, muzika shqiptare e kësaj periudhe, ashtu si të gjitha artet në përgjithësi, me përjashtim të përpjekjeve të rastit, e pati të pamundur avancimin drejt zhvillimeve bashkëkohore perëndimore.

Mbas viteve 1990 situata muzikore në Shqipëri njohu zhvillime krejtësisht të reja, të cilat synuan integrimin e shpejtë në strukturat artistike europiane. Një rol të rëndësishëm për këtë luajti formimi i shoqatave muzikore, si Shoqata e Muzikës së re Shqiptare (NAM, anëtare e Konferencës Europiane të Muzikës së Re) dhe Shoqata Mbarëshqiptare e Profesionistëve të Muzikës (seksioni shqiptar i ISCM), pranë të cilave është grumbulluar pjesa dërrmuese e kompozitorëve dhe interpretesve të vendit, dhe që aktualisht shërbejnë si tribuna kryesore të krijimtarisë së re muzikore të kompozitorëve shqiptarë.

Institucionet muzikore më të rëndësishme në Shqipëri janë Teatri i Operas dhe i Baletit, Anasambli i Këngëve dhe Valleve Popullore (që të dyja në Tiranë), ku janë përqëndruar muzikantët e kërcimtarët më të mirë të vendit. TOB, me seli në sheshin Skënderbej, ka një aktivitet permanent sezonal, ku vendin më të rëdësishëm e zenë shfaqjet e repertorit klasik e romantik; ndërsa AKVP, i përbërë nga grupi i valleve, i korit, orkestrës dhe solistëve, përfaqëson një institucion muzikor profesionist fare specifik, repertori i të cilit mbështetet kryesisht në përpunimin artistik të traditës muzikore e koreografike popullore.

Formacionet orkestrale më të rëndësishme të vendit janë Orkestra Sinfonike e Teatrit të Operas dhe Baletit, Orkestra Sinfonike e RTV, Orkestra Sinfonike e Akademisë së Arteve dhe Orkestra e Dhomës e drejtuar nga muzikanti Zhani Ciko – kjo e fundit, me një veprimtari të dendur disavjeçare brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe shpesh herë laureate në aktivitete europiane. Ndër dirigjentët kryesorë janë Ermir Krantja, Rifat Teqja, Ferdinand Deda, Bujar Llapi. Repertori koncertal i këtyre formacioneve përfshin muzikë që nga periudha barok e deri në shekullin XX, por në përgjithësi ai anon për nga tradita klasiko-romantike dhe krijimtaria e autorëve shqiptarë.

Sistemi i edukimit muzikor në Shqipëri u themelua me hapjen për të parën herë në vitin 1947 të Shkollës së Mesme Artistike “Jordan Misja”, që me kalimin e kohës u shoqërua me disa shkolla të tjera të llojit në qytetet kryesore të vendit, si Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçe, Vlorë, Fier, Gjirokastër, etj. Më 1962 hapet Koservatori Shtetëror i Tiranës, tashmë i përfshirë si një Fakultet më vete në Akademisë e Arteve të Tiranës, ku bëjnë pjesë gjithashtu dhe Fakulteti Dramatik dhe ai i Arteve Figurative. Pranë shkollave të muzikës dhe Akademisë së Arteve ushtrojnë aktivitetin e tyre mësimor dhe koncertal orkestra sinfonike dhe formacione të tjera të muzikës së dhomës sëbashku me koret. Midis këtyre të fundit, një aktivitet intensiv, shpesh herë të vlerësuar me çmime ndërkombëtare, ka Kori i Vajzave të Akademisë së Arteve, me dirigjent Milto Vakon. Po në Tiranë, gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, nën drejtimin e mjeshtres së korit Suzana Turku, është krijuar edhe kori tjetër i njohur i vendit, Pax Dei.

Aktivitetet kryesore të jetës së sotme muzikore shqiptare mbahen kryesisht në Tiranë dhe pjesa dërrmuese e tyre realizohen nëpërmjet veprimtarisë së shoqatave muzikore, përmes të cilave janë afirmuar emra të rinj kompozitorësh, si Aleksandër Peçi, Sokol Shupo, Vasil. S. Tole, Endri Sina, etj., dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre koncertal ansamblet e specilizuara për interpretimin e muzikës së re, SPECTRUM dhe ASMUS. Në vitin 1992 kompozitori Feim Ibrahimi (i cili ishte dhe Presidenti i parë i Këshillit Kombëtar të Muzikës Shqiptare – anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës pranë UNESCO-s që në 1991), ideoi dhe krijoi festivalin Ditët e Muzikës së Re Shqiptare. Pas vdekjes së kompozitorit NAM është ai që vazhdoi traditën e këtij festivali i cili organizohet në të muajin maj të çdo viti dhe prej vitit 1994 organizon edhe Festivalin e Interpretimit të Muzikës Bashkëkohore “Nikolla Zoraqi”. Me inisiativën e Seksionit shqiptar të ISCM qyteti i Tiranës pret në çdo sezon vjeshte muzikantë dhe artistë të huaj, pjesëmarrës në veprimtarinë komplekse Vjeshta e Tiranës, inaguruar në tetor 1994. Veprimtari të tjera permanente të fushes së interpretimit dhe krijimtarisë muzikore janë Festivali i Romancës Shqiptare (organizuar që nga viti 1994 nga Shoqata muzikore “Tonin Harapi”), Konkurset e pianistëve të rinj (organizuar që nga viti 1993 nga Shoqata EPTA), etj.

Qendrat muzikore koncertale janë të shtrira në disa prej qyteteve kryesore të vendit; në Tiranë ndodhen midis të tjerash Salla e Koncerteve e Akademisë së Arteve, ajo e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Teatri Rubairat, etj; në Shkodër salla e Teatrit Migjeni, në Korçë Salla e Koncerteve e Shtëpisë së Kulturë; në Elbasan salla e Teatrit Skampa; në Durrës, Salla e Koncerteve e Pallatit të Kulturës; etj.

Shiko më shum

Si tё ruhen traditat e dasmёs sonё Popullore

Populli shqiptar , si populli më i lashtë në gadishullin Ballkanik , ka një traditë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *