Monday , November 11 2019
Ballina / TRADITA / Muzika / Muzika e lehtë shqiptare

Muzika e lehtë shqiptare

Bën pjesë edhe ajo në traditën e re artistike të formuar mbas Luftës II Botërore, pavarësisht disa përpjekjeve të pjesëshme që zënë fill gjatë viteve 1920-1930. Këngëtarët dhe instrumentistët e muzikës së lehtë e zhvillojnë veprimtarinë e tyre kryesisht pranë trupave të Teatrove të Varieteve, pothuajse aktive në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Sidoqoftë, Tirana, si qendër kryesore kulturore e vendit, është njëherësh edhe qyteti më i pasur i veprimtarive të muzikës së lehtë. Këtu zhvillohen në mënyrë të rregullt dy aktivitetet kryesore të vitit, Festivali Kombëtar i Këngës në Radio-Televizion (themeluar në vitin 1962) dhe Festivali i Pranverës – ky i fundit destinuar kryesisht për muzikantët e rinj, ndërsa të dy sëbashku, të njohur si aktivitete ekskluzive të Radio-Televizionit Shqiptar.

Mbas viteve 1990 kënga e lehtë shqiptare pësoi zhvillime të rëndësishme si rrjedhojë e hapjes së përgjithëshme kulturore të vendit ndaj shoqërisë perëndimore. Me formimin e traditës bazë të llojit, të kryesuar nga emra shumë popullorë për publikun shqiptar, si ai i këngëtares së shquar Vaçe Zela, i kompozitorit Agim Prodani, i fizarmonicistit, kompozitorit dhe aranzhatorit Agim Krajka, në Shqipërinë e fund-shekullit të njëzetë, muzika e lehtë mund të cilësohet si një ndër fushat e artit, që njohu ridimensionime ndër më të të ndjeshmet, duke adaptuar format dhe drejtimet kryesore të njohura perëndimore. Aktualisht ajo njeh të gjitha zhvillimet e mundëshme, që nga muzika rok, xhaz, rap, tekno, etj, duke synuar njëherësh edhe pasurimin me elemente ritmike dhe timbrikë të folklorit muzikor vendas.

Shqipëria ka sot një numër të madh interpretësh, kompozitorësh, kantautorësh, aranxhuesish të muzikës së lehtë, ndër më të njohurit e të cilëve janë Ardit Gjebrea, Elton Deda, Elsa Lila (këngëtarë), Shpëtim Saraçi (kompozitor-aranzhator), etj, si dhe një sërë kompleksesh të muzikës alternative.

Shiko më shum

Si tё ruhen traditat e dasmёs sonё Popullore

Populli shqiptar , si populli më i lashtë në gadishullin Ballkanik , ka një traditë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *