Monday , November 11 2019
Ballina / TRADITA / Muzika / Folklori muzikor

Folklori muzikor

Muzika Popullore Shqiptare, përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit. Në përshkrimet e studjusve të huaj të ardhur në Shqipëri gjatë shekujve XVIII-XIX është arritur përafërsisht në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori muzikor, por ka edhe krom edhe naftë.

Folklori muzikor bën një jetë aktive edhe sot, ndërkohë që gjurmët e lashtësisë së tij janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj.

Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur , çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve popullore, etj. Këtyre u shtohet dhe një fond i madh veglash popullore të klasifikuara në katër grupet tashmë të njohura si ideofone, membranofone, kordofone, areofone.

Folklori muzikor shqiptar e bën jetën e vet në një ndarje specifike, që lidhet me format e të shprehurit muzikor dhe me tipet kryesore të instrumenteve të përdorur. Lumi i Shkumbinit, që përshkon mes për mes Shqipërinë, përvecse ndan dy dialektet kryesore të vendit në Gegë në Veri të Shkumbinit dhe në Toskë në Jug të Shkumbinit, shërben edhe si kufi natyror për klasifikimin e tipologjisë së folklorit muzikor. Në veri të lumit Shkumbin lokalizohet zona monodike e të shprehurit muzikor, e shoqëruar kjo me shkallët modale (diatonike apo kromatike) sëbashku me vegla muzikore specifike për këtë zonë, si lahuta dhe çiftelia. Ndërkohë, për trevat që shtrihen në jug të lumit Shkumbin është karakteristik fenomeni i të shprehurit muzikor në iso-polifoni (ang. Poliphonie with burdon) me përdorimin e shkallëve pentatonike si dhe të instrumenteve specifik si gajde dhe bicula (fyell i dyfishtë). Krahas muzikës fshatare pa shoqërim me vegla (a capella), duke nisur nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, lindi dhe u kristalizua muzika popullore qytetare, që në Jug të Shqipërisë takohet kyesisht në qytetet Korçe, Vlorë, Sarandë, Delvinë, Përmet, Leskovik, Pogradec, me formacionin polifonik të Sazeve (të përbërë nga instrumente të importuar si klarineta,violina dhe fizarmonika, si dhe nga vegla popullore karakteristike si lahuta, dajre, fyell), ndërsa në Veri në qytetet Shkodër, Durrës, Elbasan, Kavajë, etj., shoqëruar nga ansamble popullore monodike ose monodi me shoqërim (të përbërë nga vegla të importuara si klarineta, fizarmonika dhe violina, por edhe nga vegla të traditës popullore, si kemanxhia, fyelli, etj).

Nisur nga roli i dorës së parë që ka në traditën shqiptare, folklori muzikor studjohet si lëndë e veçantë në shkollat e mesme të përgjithëshme, në ato artistike, si edhe në Akademinë e Arteve të Tiranës, ku formohen edhe etnomuzikologët e ardhëshëm.

Regjistrimet e folklorit muzikor shqiptar nisin që prej viteve 1900 e këtej. Përpara viteve 1940 ato janë realizuar pranë shoqërive Odeon, Columbia, Pathé, His master’s voice. Regjistrime më të vona takohen edhe në formën e CD-ve, si CD me muzikë të “Familjes Lela”, prodhuar në Francë më 1992 nga Judigo; dy CD me muzikë toske të “Laver Bariut”, prodhuar përkatësisht në Greqi dhe Angli, etj.

Aktivitetet kryesore folklorike shqiptare janë Festivali Folklorik Kombëtar, mbajtur çdo pesë vjet, i cili ka filluar në vitin 1952 në qytetet Lezhë dhe Tiranë, për të vijuar më pas në dy qytetet muze me arkitekturë mesjetare, Gjirokastër dhe Berat; Festivali Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare në Elbasan; Takimi i Rapsodëve Lahutarë në Lezhë; Takimi i Sazeve në Korcë; Takimi i Grupeve Polifonike në Vlorë dhe Gjirokastër; Takimi i Grupeve dhe Shoqërive Folklorike (NGO) në Sarandë.

Organizatat folklorike kryesore që veprojnë në Shqipëri, të krijuara kryesisht pas viteve 1990 me qëllim mbështetjen e folklorit dhe të traditave popullore në përgjithësi, janë: Elena Gjika – Përmet, Demir Zyko – Skrapar, Shoqëria Folklorike – Gramsh; Grupi Bilbili – Vlorë, Gjirokastër; Shoqata Tirana – Tiranë, Kastrioti – Krujë, etj.

Institucioni i vetëm shkencor që merret me studimin e folklorit është Instituti i Kulturës Popullore në Tiranë, i përbërë nga departamenti i etnomuzikologjisë dhe etnokoreologjisë dhe nga departamenti i etnografisë. IKP boton revistën periodike Kultura popullore. Pranë tij gjendet një arkiv shumë i pasur me mbi 60000 ekzemplatë të mbledhur në tërë Shqipërinë.

Disa nga librat më të rëndësishme mbi Folklorin Muzikor Shqiptar janë: Gjurmime Folklorike i Ramadan Sokolit (Tiranë, 1981); Polifonia labe i Spiro Shitunit (Tiranë, 1989); Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë së Jugut i Beniamin Krutës (Tiranë, 1989); Folklori muzikor shqiptar i Sokol Shupos (Tiranë, 1997); Muzika me saze + CD i Vasil. S. Toles (Tiranë, 1997).

sd

Shiko më shum

Si tё ruhen traditat e dasmёs sonё Popullore

Populli shqiptar , si populli më i lashtë në gadishullin Ballkanik , ka një traditë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *